Në afërsi të Lipjanit është ndërtuar një fabrikë e veçantë, e cila punëson vetëm persona me aftësi të kufizuara. Kjo fabrikë, e ndërtuar nga Fondacioni “Golden Eagle”, ka arritur të prodhojë produkte letre dhe të krijojë mundësi punësimi për këtë kategori të shoqërisë. Aktualisht, në prodhimin e letrës së markës “Freesia” janë të punësuar dhjetë persona.
Fabrika prodhon letër kuzhine dhe letër tualeti, të cilat ambalazhohen me karton dhe shiten në rreth 1400 pika në të gjithë Kosovën.
Drejtori i fabrikës, Endrit Rexhaj, ka një histori personale frymëzuese. Ai ka humbur dorën e djathtë gjatë luftës së vitit 1999 dhe sot është menaxheri kryesor i kësaj fabrike. Sipas tij, ideja për themelimin e fabrikës erdhi si inspirim nga pronari i kompanisë “Frutex” dhe themeluesi i Fondacionit “Golden Eagle”, Shaqir Palushi.
“Pronari i ‘Frutex’-it, z. Shaqir Palushi, u inspirua nga historia ime, pasi kisha punuar për shtatë vjet në sektorin e IT-së në atë kompani”, thotë Rexhaj. Pas disa diskutimeve, u vendos që të ndërtohej fabrika, me qëllimin për të punësuar persona me aftësi të kufizuara.
Pas një pune dyvjeçare, ideja u bë realitet dhe tani kompania i ka mbushur dy vjet që operon në treg. Fillimisht kishte vetëm dy punëtorë, ndërsa aktualisht ka dhjetë të punësuar. Rexhaj thekson se kapacitetet e fabrikës mund të arrijnë deri në 30 të punësuar dhe se ekzistojnë plane për zgjerimin e mëtejshëm të biznesit.
“Ne po punojmë për të zhvilluar ide të reja dhe për të zgjeruar ndikimin tonë në shoqëri. Për ta arritur këtë, është e rëndësishme që të ndihmohemi nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës të blejnë produktet tona”, thekson Rexhaj.
“Freesia Paper Factory” nuk është thjesht një fabrikë, por një komunitet që promovon barazinë, gjithëpërfshirjen dhe solidaritetin. Të gjitha të hyrat e saj përdoren për donacione dhe për të ndihmuar nevojat e ndryshme të shoqërisë.