Në vitin 1991, familja Kasumi, nga Pestova e Vushtrrisë, nisi biznesin familjar të prodhimit të patates.
Vushtrria është në mesin e zonave me prodhimtarinë më të madhe të patates në Kosovë dhe familja nisi të prodhonte pataten, e cila atëkohë i dedikohej kryesisht tregut vendor.
Biznesi i vogël familjar u rrit ndër vite me rritjen e sipërfaqeve të mbjella dhe prodhimit të patates.
Lufta e vitit 1999 gjunjëzoi tërë infrastrukturën e ndërtuar të ndërmarrjes së patates. Depot dhe makineria e zonës u dogjën, ndërsa biznesi rifilloi nga zero.
Nga prodhimi i patates në industrinë e çipsave
Në vitin 2004, Kosova prodhonte masovikisht patate, të cilat nuk mund të konsumoheshin nga tregu vendor.
Pjesa më e madhe e prodhimeve finale, përfshirë patatet, importoheshin nga jashtë.
Kompania “Pestova” atëkohë nisi procesin e ndërtimit të një minifabrike për prodhimin e çipsit të patates.
E lansuar në vitin 2004, kompania mori hapa të shpejtë dhe klientelë të mirë në treg.
Historiku i kompanisë tregon se zhvillimi më i madh i saj ndodhi në vitin 2010, kur kompania instaloi dy linja moderne të prodhimit të çipsit.
Që nga ajo kohë e deri më sot, VIPA CHIPS është në mesin brendeve më të shitura të çipsit në Kosovë, ndërsa prodhimet eksportohen në disa vende të BE-së dhe të rajonit. Tani kompania prodhon 28 produkte finale të çipsave dhe produkteve të tjera.
Kontrolli i cilësisë
Për t’u vendosur në tregun evropian, kompania i zbaton në përpikëri standardet e prodhimit dhe kontrollit të cilësisë.
“Pestova” është e përkushtuar në aplikimin e praktikave më të mira për prodhimin e ushqimit, sipas standardeve GLOBALGAP, HACCP dhe ISO 9001:2008. Standardet GLOBALGAP garantojnë që patatet e prodhuara janë të sigurta dhe të kultivuara në mënyrë të qëndrueshme, sipas standardeve te Unionit Evropian. HACCP është sistem, i cili i identifikon rreziqet specifike dhe rregullon masat për kontrollimin e tyre, për të siguruar cilësinë dhe sigurinë e ushqimit. ISO 9001:2008 përcakton procedurat për një sistem të menaxhimit cilësor të kompanisë. Si rezultat, kompania tregon aftësinë e saj për të ofruar vazhdimisht produkte që plotësojnë kërkesat e konsumatorëve, si dhe synon që ta rrisë kënaqësinë e konsumatorit nëpërmjet zbatimit efektiv të sistemit, duke përfshirë proceset për përmirësimin e vazhdueshëm.
Ndër të tjera, kompania ofron mbështetje të zhvillimit të bujqësisë lokale duke inkurajuar fermerët e rajonit ku ka ofruar kontrata për bashkëpunim në sipërfaqet e mbjellura me patate. Kjo u ka mundësuar fermerëve të kenë një burim të qëndrueshëm të ardhurave dhe të sigurojnë një treg për prodhimet e tyre. Krahas kësaj kompania siguron furnizim të qëndrueshëm me fare të patates të cilësisë së lartë. Ky model bashkëpunimi ka qenë i dobishëm për të dyja palët, duke forcuar lidhjet me komunitetin lokal dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në vend duke garantuar produkte të cilësisë së lartë për prodhimin e çipsit.