Mbi 2 mijë makina nga Koreja e Jugut janë importuar në Kosovë gjatë periudhës ndërmjet viteve 2023 dhe 2024. Tregtarët e makinave, por edhe blerësit individualë, kanë arritur të gjejnë një treg më të lirë të makinave, i cili çdo ditë po eksplorohet gjithnjë e më shumë nga qytetarët e Kosovës.
Koreja e Jugut ndodhet rreth 9 mijë kilometra larg Kosovës, apo katër herë më larg se Gjermania, por blerësit nga Kosova po blejnë makina të prodhuara në këtë shtet, si dhe makinat gjermane.
“Çmimet e shitjes atje janë shumë të ulëta, për shkak të politikave që ata kanë për makinat e reja dhe makinat elektrike. Makinat me naftë, 10-vjeçare apo edhe më të reja, përpiqen t’i shesin për të blerë makina më të reja, elektrike”, thotë një nga tregtarët e makinave që importon nga ky shtet.
Rrugëtimi prej 9 mijë kilometrash i makinave kryhet nga kompani të ndryshme, të cilat organizojnë fillimisht blerjen e makinave në ankande online për shitjen e tyre.
Visar Zejnullahu nga kompania Luxury Cars ka ndarë informacion rreth importit të makinave nga Koreja.
“Në vitin 2022, ka filluar importi i makinave nga Koreja. Gjatë këtij viti janë importuar gjithsej 16 automjete.
Në vitin 2023, importi është rritur ndjeshëm, duke arritur në 262 automjete.
Ndërsa në vitin 2024, pritet të importohen 600 automjete” thotë Zejnullau
Ai tregon se Makinat e prodhuara në Kore janë plotësisht të njëjta me ato evropiane për nga cilësia dhe standardet teknike. “Çmimi më i ulët i këtyre makinave shpjegohet nga fokusi i prodhuesve koreanë te makinat elektrike, duke u bazuar në përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit” rrëfen Zejnullahu. Ai tregon se Politikat mbështetëse të qeverisë koreane janë një faktor kyç në uljen e kostove.Për çdo makinë elektrike të shitur për 10,000 euro, qeveria shton një bonus prej 900 eurosh.Makinat elektrike përfitojnë një subvencion prej 25% nga qeveria.Gjithashtu, ato lirohen 100% nga të gjitha taksa
Pazari në ankande është i thjeshtë dhe kryhet në mënyrë të sigurt, duke realizuar pagesa përmes transfertave bankare. Nga Koreja, makinat vendosen në anijet transportuese që i sjellin ato në Portin e Durrësit. Nga aty, makinat transportohen në tregun e Kosovës dhe pas procesit të zhdoganimit ato janë të gatshme për t’u përdorur në rrugët e vendit.
Sipas standardeve, makinat e importuara nga kjo zonë nuk kanë nevojë për kontrolle shtesë apo certifikata të veçanta importi. Procesi i regjistrimit është i ngjashëm me atë të makinave që importohen nga vendet e Bashkimit Evropian. Importuesit tregojnë se markat e makinave që importohen nga Koreja e Jugut janë, gjithashtu, brende botërore që janë të njohura dhe të preferuara në Kosovë dhe në Shqipëri, përfshirë markat si Mercedes, Volksëagen, Peugeot dhe makinat e prodhuara në vendet evropiane.