Gjysma apo mbi gjysma e shqiptarëve jetojnë e punojnë në diasporë, apo mërgatë. Pra, në njëfarë mënyre para syve tanë po krijohet apo tashmë është krijuar “Shqipëria e dytë”.
Dhe, që ajo të zhvillohet sa më shëndetshëm dhe në raporte mbrothësie me të mirëfilltën (brenda kufijve të Atdheut), problem të parë e ka ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar/kulturor. Veçmas te brezat e rinj (te fëmijët dhe të rinjtë e të rejat), të cilët duke jetuar e duke u zhvilluar brenda një sistemi dy e shumëgjuhësor e kulturor, rrjedhimisht ballafaqohen me procese të ndryshme ndërvepruese apo edhe interferuese, si integrim, përshtatje, inkulturim, akulturim, dekulturim, asimilim etj.
Një formë e përkujdesjes identitare dhe shumë e parapëlqyer prej fëmijëve dhe të rinjve është njohja me trashëgiminë kombëtare për së afërmi; duke e vizituar atë, duke e eksploruar në formate të ndryshme. Zakonisht brenda një sistemi arsimor më të zhvilluar është shumë i njohur ekskursioni mësimor, por në kushtet shqiptare kjo formë, për fat të keq, është shumë pak e zhvilluar[1]. Dhe, sigurisht plotësimi, aq sa është e mundur, u përket familjes dhe prindërve. Kjo i bie që ti, si prind i ndërgjegjshëm që je, e ke për detyrë që vizitat në Atdhe t’i planifikosh me përgjegjësi sa më të madhe dhe me përmbajtje sa më të dobishme e tërheqëse për edukimin identitar të fëmijës tënd. Dijetarët e shkollës dhe të edukimit kaherë kanë vërtetuar se këto ndërmarrje janë shumë të dobishme dhe atë për shumë arsye:
– kur planifikohen e realizohen mençurisht, fëmijët i parapëlqejnë shumë;
– edukimi/mësimi ndodh aty për aty dhe është i drejtpërdrejtë e me rol aktiv të fëmijës;
– emocioni që krijohet siguron qëndrueshmërinë e mësimit; pra ajo që mësohet zor se do të harrohet;
– ndërveprimi është i shumanshëm dhe fëmija ndodhet në rol të subjektit (merr pjesë në planifikim, në realizim, përfiton prej tij).
Ja një listë prej 12 propozimeve të para e sa më shënjuese të mësuesit, se çka duhet vizituar në hapësirën shqiptare:
- Tiranë: Muzeu Historik Kombëtar, Sheshi ‘Skënderbe’ etj.
- Prishtinë: Muzeu i Kosovës, Monumenti i Pavarësisë “New Born”, Sheshi “Nëna Terezë” etj.
- Shkup: Çarshia e vjetër, monumenti i Skënderbeut, Kalaja etj.
- Qytete nga katalogu i UNESCO-s: Berati, Gjirokastra, Butrinti.
- Vlorë: Shtëpia e Pavarësisë etj.
- Durrës: Amfiteatri, Muzeu Arkeologjik etj.
- Krujë e Lezhë: Muzeu Historik i Skënderbeut dhe Kalaja e Krujës, Kisha e Shën Kollit (Mauzoleu i Skënderbeut) në Lezhë.
- Prekaz: Kompleksi Memorial i Familjes Jashari (orë historie).
- Prizren: Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit etj.
- Shkodër: Muzetë e ekspozitat e ndryshme (Marubi’), Rozafa, liqeni etj.
- Korçë: Muzeu i shkollës së parë laike shqipe, qendra e qytetit dhe arkitektura origjinale, muzetë e shumta etj.
- Ulqin: Kalaja e Ulqinit, njohja me historinë shqiptare etj.
E gjithë kjo ndërmarrje, që mund të organizohet edhe si program familjar, me sa më shumë pjesëmarrje, mund të realizohet brenda një jave, duke i shtuar edhe njohjen me trashëgiminë tjetër materiale e shpirtërore (bukuritë e pasuritë natyrore, monumentet e artefaktet e shumta, shijimi i kuzhinës kombëtare etj.).