Në të gjitha trevat shqiptare, mishi i kecit është pjesë e gatimeve tradicionale të vendit.
I shërbyer veçanërisht për festa, mishi i kecit gatuhet në mënyra të ndryshme, varësisht nga zona dhe kultura e komunitetit.
Përgatitja e tij pasqyron zakonet dhe traditat e ndryshme të rajoneve në Shqipëri. Ja disa nga mënyrat tradicionale dhe rastet kur mishi i kecit gatuhet:
Mishi i kecit në hell
Kjo është një nga mënyrat më tradicionale për të gatuar kecin. Në prushin e përgatitur nga thëngjilli, apo drutë e zjarrit, keci piqet për disa orë, duke marrë një shije të veçantë.
Varësisht nga zonat gjeografike, marinimi i kecit në hell dallon nga veriu në jug. Në disa zona përdoren mëlmesa të ndryshme, ndërsa më tradicionalja është spërkatja me lëng limoni dhe kripë. Sipas kësaj recete, keci vendoset në një hell prej druri dhe piqet mbi zjarr të hapur. Mishi spërkatet me kripë dhe lëng limoni gjatë pjekjes për të ruajtur shijen dhe lagështinë.
Keci i pjekur në furrë, me patate
Një tjetër gatim i dashur është keci i pjekur në furrë, shpesh i shoqëruar me patate ose perime të tjera. Në këtë recetë tradicionale, mishi i kecit përzihet me erëza, si rigon, hudhër, piper të zi dhe vaj ulliri.
Tava piqet për disa orë dhe ka një shije të veçantë, të cilën e fiton gjatë procesit të zierjes dhe pjekjes. Kjo recetë përdoret zakonisht gjatë drekave festive ose në Bajram dhe mishi i kecit simbolizon bujarinë dhe mirësinë.
Keci me pilaf (Tava e kecit)
Në disa zona, veçanërisht në jug të Shqipërisë, përgatitet tava e kecit me oriz dhe erëza. Lëngu i mishit përdoret për të gatuar orizin, duke i dhënë një shije të pasur dhe aromë të veçantë.
Mish keci me qepë
Keci gatuhet edhe në pjesë më të imëta për të krijuar qebapë të ngjashëm me gatimet tradicionale turke. Në disa zona të Shqipërisë, mishi i kecit pritet në copa të vogla dhe gatuhet me qepë të karamelizuara, salcë domatesh dhe erëza lokale. Kjo recetë është shumë popullore gjatë dimrit, duke sjellë ngrohtësi dhe shije të thella.
Paidhaqet e kecit
Pa dyshim, njëra nga recetat më të shijshme të gatimit të kecit është gatimi i brinjëve të kecit. Të prera në copëza të vogla, brinjët e kecit kanë një shije të veçantë dhe konsumohen lehtë, sidomos në tavolina festive. Përgatitja e paidhaqeve të kecit është një proces që kërkon kujdes për të nxjerrë në pah shijen e veçantë të këtij mishi delikat. Recetat e gatimit janë të ndryshme në zonat gjeografike të vendit, mirëpo ajo më tradicionalja është me erëza vaj ulliri dhe lëngë limoni.
Sipas udhëzimeve të kuzhinierëve, gatimi nis me përzierjen e erëzave si rozmarina, kripa, piperi, speci dhe mustardi, në një enë bashkë me lëng limoni vaj të ulliri dhe hudhrave. Lëngu i krijuar marinohet më pas me brinjët e kecit, për rreth 2 orë, ndërsa pjekja mund të bëhet në furrë apo në skarë.