Kur dielli ndriçon Prishtinën, në vikend qyteti mbushet me qytetarë. Ndjenja më e mirë është kur e nuhat aromën e kafesë. Prishtina njihet për kafe të mirë, sidomos për makiato.
Vikendi në kryeqytet e ka rutinën e tij: një mëngjes me familjarë ose me shoqëri në vendet më të ngrohta. Në çdo lagje ka kafene të njohura për qytetarët, duke filluar nga “Bregu i Diellit”, ku ndodhet “Sonder”. Kafeneja njihet për mëngjesin me bagels, sallata dhe shakshuka, me shumëllojshmëri edhe të ushqimeve vegjetariane dhe vegane.
Po në këtë lagje ndodhet furra “Artizan”, të cilën qytetarët e pëlqejnë për llojllojshmërinë e bukëve, nga ato me brumë të thartë dhe ato franceze deri te kroasanët e famshëm.
Në qendër të qytetit, përball “Grand Hotel”, ndodhet “Metro”, një nga kafenetë më të vjetra të kryeqytetit. Të gjithë i pëlqejnë sallatat dhe sandviçët unikë që ky vend i ofron.
“Churchill” është një tjetër kafe/bar i pëlqyer në Prishtinë. Menyja përmban ushqime më ndryshe krahasuar me vendet e tjera dhe njihet edhe për përgatitjen e koktejeve me receta origjinale të lokalit. Ngjyrat bardhë dhe kaltër e karakterizojnë ambientin, kurse tarraca është eksperiencë më vete kur ngroh dielli.
Në rrugën e njohur “Fehmi Agani” ndodhet edhe “Rita’s Caffe & Bar”, një lokal i ri në Prishtinë. Më së shumti njihet për sandviçët me bukë fokaçe dhe pastat.
Në të njëjtën rrugë ndodhet dhe “Tartine Deli”. Nëse dëshironi të ëmbëlsoni mëngjeset tuaja, atëherë me patjetër duhet t’i provoni ëmbëlsirat e “Tartine”.
Prishtina ofron shumë e shumë kafene, në të cilat ju do të ndiheni rehat, si në shtëpinë tuaj. Këto janë vetëm disa nga shumë vendet e tjera të njohura, të cilat bëjnë bashkë vendës dhe të huaj.