Çka importon e çka eksporton Kosova?

Deficiti i lartë tregtar është një prej sfidave kryesore të ekonomisë së vendit. Çdo vit, Kosova eksporton më shumë se 5 miliardë euro jashtë vendit, pasi aq është dallimi ndërmjet importit dhe eksportit të produkteve.

Në vitin 2023, Kosova kishte importuar mallra në vlerë prej 5.9 miliardë euro, ndërsa kishte eksportuar mallra në vlerë prej 863 milionë euro. Pra, në vitin 2023, mbi 5 miliardë euro kanë dalë më shumë nga Kosova, krahasuar me ato që kanë hyrë në Kosovë përmes eksporteve. Nëse e marrim si përqindje, i bie që eksportet mbulojnë vetëm 14.6% të importeve, që është vlera më e ulët krahasuar me vendet e rajonit.

Deficiti i lartë tregtar përmendet nëpër raportet e institucioneve ndërkombëtare si një sfidë që duhet të adresohet nga Qeveria e Kosovës. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e publikuar në dhjetor të vitit 2024, thotë se deficiti i lartë tregtar është duke i shkaktuar telashe ekonomisë së Kosovës dhe pasojat e këtij deficiti të lartë tregtar janë duke u sanuar pjesërisht nga remitancat, pra dërgesat nga jashtë dhe investimet e huaja direkte.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës, në raportet e saj, e njeh deficitin e lartë tregtar si një prej sfidave kryesore të ekonomisë së vendit.

Por, çka importon Kosova?

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Dogana e Kosovës për vitin 2024, rezulton se Kosova ka importuar naftë në vlerë prej 587 milionë euro gjatë vitit 2024. Kosova nuk prodhon naftë, prandaj importi i naftës nuk mund të zvogëlohet e as të zëvendësohet me prodhim vendor. Ndërsa, 566 milionë euro ishte vlera e importeve të veturave dhe mjeteve të tjera motorike.

Energjia elektrike është produkti i tretë më i importuar gjatë vitit 2024, duke arritur vlerën e 142 milionë eurove. Kosova importon energji elektrike për të mbuluar deficitin e energjisë që shfaqet kryesisht gjatë ditës, pasi konsumi i energjisë është dukshëm më i lartë sesa prodhimi i saj. Kosova eksporton një sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike, mirëpo vlera e saj është dukshëm më e ulët, pasi e njëjta eksportohet gjatë natës, kur çmimi për megavat është shumë herë më i lirë. Bazuar në të dhënat preliminare, që janë raportuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, rezulton se gjatë vitit 2024 është eksportuar energji elektrike në vlerë prej rreth 60 milionë euro.

Në listën e produkteve më të importuara pasojnë cigaret, po ashtu një produkt që nuk ka sasi të madhe të prodhimit në Kosovë. Në Kosovë është një fabrikë për prodhim të cigareve, por e cila lëndën e parë (duhanin) e importon, sepse aktualisht nuk ka kultivim në masë të duhanit në Kosovë.

Medikamentet janë produkti tjetër i importuar në masë të madhe gjatë vitit 2024, duke arritur vlerën e importit në 120 milionë euro. Në Kosovë janë disa fabrika të prodhimit të ilaçeve, të cilat kanë ndikuar që ky import të mos jetë kaq i madh.

Me gjithë ekzistimin e disa fabrikave për prodhim të pijeve të gazuara, Kosova ka importuar pije të gazuara nga jashtë në vlerë prej 97 milionë euro. Kosova prodhon edhe biskota dhe produkte të tjera të bukës, mirëpo prapë vlera e importeve të tyre ishte 85 milionë euro. Në Han të Elezit është një fabrikë për prodhim të çimentos, mirëpo, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, rezulton se Kosova nuk i përmbush nevojat e veta me prodhim të këtij produkti, pasi vlera e importit të çimentos portland ishte 84 milionë euro.

Prej nga importojmë mallra?

Importi i mallrave për periudhën janar–nëntor 2024, sipas të dhënave Open_DATA nga Doganat e Kosovës, arrin vlerën 5.7 miliardë euro, që është një rritje prej 8.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Kosova më së shumti mallra importon nga vendet e BE-së, me 2.5 miliardë euro apo 44.8% të gjithë importit (Gjermania me 14.1%, Italia me 5.2%, Greqia me 5.1%, Polonia me 3.3%, Bullgaria e Kroacia me nga 2.1%, etj.).

Kurse nga vendet e CEFTA janë importuar mallra në vlerë prej 748.8 milionë euro apo 13.2% (Shqipëria me 5.3%, Maqedonia e Veriut me 4.5%, Serbia me 1.9%, etj.). Ndërsa, nëse ndalemi te shtetet individuale, importi nga Turqia është më i larti, pasi ka arritur vlerën e 828.7 milionë euro apo 14.5%, e pasuar nga Kina me 688.4 milionë euro apo 12.1%.

Çka eksporton Kosova?

Eksporti i mallrave për periudhën janar–nëntor 2024 arrin vlerën 832.2 milionë euro, që është një rritje prej 5.8% krahasuar me 786.8 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2023. Sipas të dhënave, grupet kryesore të eksportit përbëhen nga: 24.5% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.8% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre; 11.2% artikuj të ndryshëm të prodhuar; 11.2% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.3% produktet minerale, etj.

Nëse i marrim në mënyrë specifike produktet që eksportohen, në listë prin energjia elektrike. Sasia e energjisë elektrike të eksportuar ka një vlerë prej rreth 60 milionë eurosh. Përveç kësaj, një pjesë e energjisë nuk është shitur, por është shkëmbyer me Shqipërinë në kuadër të marrëveshjes mes KEK-ut dhe KESh-it, sipas nevojave sezonale të dy shteteve.

Pas energjisë, Kosova eksporton dyshekë. Vetëm gjatë vitit 2024, vlera e dyshekëve të eksportuar ishte 99 milionë euro. Kosova ka eksportuar gjithashtu plastikë në vlerë prej 512 milionë euro dhe pije freskuese në vlerë prej 47 milionë euro. Sektori i drurit është jashtëzakonisht i zhvilluar në Kosovë, gjë që dëshmohet edhe nga eksporti i mobileve në vlerë prej 43 milionë euro. Ndërkaq, vlera e strukturave të hekurit dhe çelikut, si dhe e tubave të hekurit të eksportuar, ka arritur në 64 milionë euro.

Shqipëria është vendi ku Kosova eksporton më së shumti, me vlerë prej 247 milionë euro gjatë vitit 2024. Më pas vijnë Maqedonia e Veriut me 145 milionë euro, ShBA-ja me 103 milionë euro, Gjermania me 93 milionë euro dhe Zvicra me 81 milionë euro.

Shprëndaje