Gratë më të shkolluara se burrat

Regjistrimi i popullsisë, i realizuar në vitin 2024 në Kosovë, ka nxjerrë të dhëna interesante lidhur me edukimin gjinor në Kosovë. Ky regjistrim ka konfirmuar se gratë janë më të shkolluara në nivelin akademik sesa burrat. Të dhënat e ASK-së tregojnë se në Kosovë janë 88 mijë gra të shkolluara me nivelin bachelor. Sipas kësaj statistike, rreth 7 mijë gra më shumë se burrat e kanë përfunduar fakultetin. Edhe në studimet postdiplomike gratë janë më të suksesshme. Sipas ASK-së, në Kosovë janë 20 mijë burra që kanë përfunduar studimet postdiplomike dhe 22 mijë gra. Dallimi sa i përket  gjinisë vazhdon të mbetet në studimet e doktoratës, pasi burrat dominojnë në raport me gratë.

Me gjithë shkollimin dhe aftësimin profesional, gratë në Kosovë vazhdojnë të mbesin të papërfshira në tregun e punës dhe në procesin e krijimit të bizneseve. Sipas ASK-së, vetëm një pjesë e vogël e grave janë të përfshira në tregun e punës, ndërsa edhe bizneset drejtohen kryesisht nga burrat. Në Kosovë, llogaritet që rreth 78% e bizneseve udhëhiqen nga burrat, ndërsa vetëm 18% janë në pronësi të grave.

Diskriminimi shfaqet edhe në regjistrimin e pronës. Në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë Kadastrale, janë 608.317 prona të regjistruara – prej tyre 476.394 ose 78.31% janë në emër të burrave dhe 119.728 ose 19.68% në emër të grave.

Përkundër këtyre të dhënave, institucionet vazhdimisht kanë njoftuar për trendë pozitivë të regjistrimit të pronës dhe përfshirjes së grave në biznes.

Shprëndaje