Kosova, shteti me pasuri të mëdha nëntokësore

Ari, argjendi, plumbi, zinku e qymyri janë vetëm disa prej pasurive nëntokësore, të cilat i ka Kosova. Me përjashtim të linjitit, prej të cilit është prodhuar rrymë tash e 25 vjet, pasuritë e tjera nuk kanë arritur të japin kontribut në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Me gjithë faktin se gjatë viteve të kaluara Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka lëshuar shumë licenca për hulumtim të nëntokës, deri më tani nuk kemi ndonjë ndërmarrje të madhe të krijuar apo rritje të eksporteve.

Cilat janë pasuritë nëntokësore të Kosovës?

Bazuar në të dhënat e Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale, metalet e çmuara (ari dhe platin) e pasurojnë nëntokën e Kosovës dhe ato janë dalluar pas mostrimit gjeokimik nëpër përroska e lumenj dhe si metale shoqëruese në xeherore të tjera (kromite dhe metale bazë, si plumbi dhe zinku).

Në Strategjinë Minerare të Kosovës (2012-2025) janë paraqitur të dhëna për përmbajtjen e arit në secilin ton të eksploatuar. Miniera e Artanës (ish-Novobërda) është më e pasura sa i përket arit. Vlerësohet se resurset e arit në minierën e Artanës janë rreth 2,700 kg.

Shembull, në Stantërg vlerësohet se përmbajtja e arit në një tone minerare është vetëm 0.6 gram. Kurse, Miniera e Artanës është gati trefish më e pasur me ari, pasi në çdo ton mund të gjenden deri në 1.6 ari.

Pas Artanës, është Miniera e Kizhnicës më e pasura, në të cilën mund të gjenden 1.1 gramë ari në çdo ton të eksploatuar, e pasuar nga Miniera e Cërnacit, me 1 gram ari në një ton.

“Sipas vendburimeve, vlerësohen këto përmbajtje të arit: Stantërg: 0.6 g/t, Bellobërdë: 0.7 g/t, Cërnac: 1.0 g/t, Hajvali: 0.5 g/t, Kizhnicë: 1.1 g/t, Badovc: 0.25 g/t, Artanë: 1.6 g/t, Crepulë: 0.13 g/t”, thuhet tutje në Strategjinë Minerare për periudhën 2012-2025.

 

“Trepça”, tuneli në të cilin nuk po shihet drita në fund

Prodhimi i rregullt në “Trepçë” ka nisur në vitin 1930 dhe për një kohë shumë të shkurtër “Trepça” ishte shtylla kryesore industriale e ekonomisë së Kosovës.

Miniera “Trepça” ka një infrastrukturë moderne, sipas modelit bashkëkohor të  minierave nëntokësore, i ka tri puse servili dhe të ajrosjes, është e zhvilluar në 2 horizonte, kurse ndërmjet tri horizonteve të fundit janë zhvilluar rampat që mundësojnë aplikimin e mekanizimit bashkëkohor në përgatitje dhe në shfrytëzim të xehes.

Miniera, me infrastrukturën e vet si dhe me metodat bashkëkohore të mbushjes, ka kapacitetin e shfrytëzimit të xehes prej 500.000 deri në 650.000 tonë xehe në vit. Arritja e kapacitetit të plotë të minierës është e kushtëzuar me numrin e duhur të punëtorëve, si dhe me investimet e parapara për freskimin e mekanizimit dhe eliminimin e “fyteve të ngushta”.

Zona metalogjenike e minierës “Trepça”, përveç vendburimit kryesor, karakterizohet edhe me një numër të vendburimeve në rrethinë, të cilat kanë shkallë të ndryshme të hulumtimeve të realizuara gjeologjike.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ndërmarrja “Trepça” kaloi nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pas shumë përpjekjeve, në nëntor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës e shpëtoi “Trepçën” nga likuidimi me nxjerrjen e Ligjit për “Trepçën”, me ç’ rast e transformoi atë në shoqëri aksionare. 80% të aksioneve të kësaj korporate janë pronë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 20% të aksioneve në pronësi të punëtorëve të “Trepçës”.

Trepça nuk ka arritur të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, pasi është obliguar të marrë para nga buxheti i Republikës së Kosovës për të mbuluar kostot e operimit dhe të pagave. Bazuar në Raportin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike, për vitin 2022, rezulton që “Trepça” i kishte mbyllur me humbje vitet 2021 dhe 2022. Disa prej sfidave, me të cilat përballet “Trepça” dhe që janë listuar në këtë raport, janë: mosha e shtyrë e fuqisë punëtore në miniera dhe në flotacionet e ndërmarrjes, pajisjet e vjetërsuara dhe jo kompaktibile me metodat bashkëkohore për eksploatim dhe pasurim të mineraleve, si dhe rreziku nga jolikuiditeti i mjaftueshëm.

 

Mundësitë e investimeve

Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës për periudhën 2012-2025 përcakton politikat dhe masat për zhvillimin e sektorit minerar, në dobi të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale.

Njëra nga pikat në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025 është edhe përmirësimi i performancës së sektorit minerar. Në program thuhet se do të angazhohemi për shfrytëzimin optimal të burimeve minerare. Do të avancojmë kornizën ligjore dhe do të analizojmë gjendjen e “Trepçës” dhe minierave të tjera në Kosovë, me qëllim të ngritjes së performancës së tyre, dhe do të identifikojmë potencialin e rritjes së kapaciteteve prodhuese.

Ndërsa, në uebfaqen e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale janë paraqitur disa udhëzime për investitorët potencialë, duke treguar vendburimet e mundshme për hulumtim, si dhe licencat e nevojshme për të kryer hulumtime apo eksploatim të mineraleve.

Qeveria i ka shpallur njëmbëdhjetë (11) zona si “Zona me interes të veçantë” për hulumtime të mineraleve të ndryshme. Zona me interes të veçantë për hulumtimin e lëndës minerale të plumbit dhe të zinkut janë: Vllahi – Zjaqë, Gumnishtë, Karaqë, Zhegovcë, Bresalcë dhe Bushincë – Bolec. Pastaj lënda minerale e nikelit dhe kromit është në lokacionin në Baks, ndërsa minerale të rralla si kuarcite janë në Debëllde.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) lëshon këto licenca/leje pas përmbushjes së kushteve, në bazë të Ligjit për Miniera dhe Minerale, të cilat mundësojnë hulumtimin për minerale dhe për shfrytëzim të tyre.

Shprëndaje