Një komunitet i vogël i banorëve të Pjetërshaint të Gjakovës shndërrohen në lajm çdo vit në Kosovë. Me vetiniciativë banorët stolisin fshatin për festat e fundvitit, duke e shndërruar Pjetërshanin në fshatin më të stolisur në Kosovë.
Nisma e banorëve, e kopjuar nga shumë komunitete të tjera në Evropë, është shndërruar në atraksion për vizitorët lokalë, ndërsa banorët premtojnë që stolisja e vitit 2024 do të jetë më madhështorja.
Palush Nikolla, njëri nga organizatorët e kësaj iniciative, e cila e ka kthyer fshatin Pjetërshan në destinacion turistik për festat e fundvitit, tregon se tashmë i kanë nisur përgatitjet që më datën 1 dhjetor të jetë gjithçka gati për t`u ndezur dritat.
Ai tregon se këtë vit pritet që stolisja e fshatit të jetë edhe më madhështore dhe se presin edhe më shumë vizitorë, anekënd Kosovës, përfshirë mërgatën, e cila për festat e fundvitit kthehet në Kosovë.
“Këtë vit presim që i gjithë aktiviteti të jetë edhe më madhështor, edhe më i ngrohtë për të gjithë ata qytetarë e bashkatdhetarë që do të vijnë në Pjetërshan, për të vizituar nga afër pjesën të cilën ne tashmë e kemi kthyer në traditë, duke e stolisur për festat e fundvitit”, tregon Palush Nikolla.
Nikolla thotë se tashmë i kanë filluar përgatitjet në bashkëpunim me Kishën e Pjetërshanit dhe me rininë për ta stolisur fshatin.
Ai thotë se dekorimet këtë vit do të jenë më madhështore, pasi zona e ndriçuar do të zgjerohet.
“Këtë vit jemi duke u përgatitur që dekorimet të jenë edhe më madhështore. Presim që ta zgjerojmë zonën e stolisur me ndriçime, që këtë vit kemi planifikuar t`i vendosim edhe më vezulluese”, tregon ai.
Nikolla thotë se, sikurse vitet e kaluara, ky aktivitet, që tashmë është shndërruar në tradicional, i tëri realizohet në mënyrë vullnetare dhe me kontributin e banorëve vullnetmirë.
Sipas tij, njëjtë sikurse vitet paraprake, ata synojnë dhe janë të vendosur që i gjithë ky aktivitet të mos kthehet asnjëherë në komercial.
“Ne edhe kësaj radhe jemi të vendosur që ky aktivitet të mbetet kështu, siç ka qenë, me bazë vullnetare do të shkojë gjithçka. Synimi ynë dhe vendosmëria është që ta ruajmë nga komercialja”, tregon ai.
Ai shton se të gjithë qytetarët që do ta vizitojnë këtë fshat do të mund të shërbehen me çaj të ngrohtë, çokolatë të ngrohtë dhe verë.
“Këtu, që tashmë mund ta quaj festival, do të ofrohen vetëm verë, çaj dhe çokolatë e ngrohtë. Nuk duam ta kthejmë në diçka komerciale, sepse mund t`i humbë kuptimi. Që në fillim kemi menduar se mjafton që njerëzit ta ndiejnë ngrohtësinë e fshatit të zbukuruar, magjinë e festave të fundvitit. Pra, festën e Krishtlindjeve dhe pastaj ndërrimin e motive”, tregon ai.
Ai kujton kohën kur nisi të dekorohej fshati nga të rinjtë.
“Nuk e kemi menduar se kjo do të shndërrohet në diçka të njohur dhe që do të na vizitonin kaq shumë njerëz, mirëpo kujtoj që mediat kanë luajtur rol të veçantë, duke ndikuar që fshati Pjetërshan të njihet tashmë për këtë organizim”, thotë Nikolla.
Ai tregon se të gjitha mjetet, me të cilat ata e dekorojnë fshatin, janë kontribut i vetë banesorëve dhe asnjëherë nuk janë ndihmuar nga ndonjë institucion publik, qoftë ai i nivelit qendror apo lokal.
Nikolla tregon se gjatë muajit dhjetor, sa zgjat ky organizim, kanë bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Kosovës, e cila, sipas tij, kujdeset në çdo kohë që gjithçka të shkojë mirë edhe sa i përket aspektit të sigurisë dhe rregullit në komunikacion përreth zonës.
“Ne do ta vazhdojmë këtë traditë. I falënderoj njerëzit vullnetmirë, të rinjtë e fshatit, djem e vajza, të cilët përreth një muaj vullnetarisht ndihmojnë në përgatitjen për ndriçimin e fshatit. Ne e rregullojmë oborrin e Kishës së fshatit, një pjesë të fshatit”, tregon ai.
Nikolla tregon që fshati për festat e fundvitit është vizituar edhe nga ambasadorë të vendeve të BE-së dhe shumë personalitetet nga jeta politike e vendit.
Gjatë mbrëmjeve Nikolla thotë se edhe këtë vit do të ketë muzikë të gjallë, po ashtu mbi bazën vullnetare, nga muzikantë të ndryshëm.