Potenciali i “turizmit dentar” në Kosovë

Dhjetëra klinika moderne dentare janë ndërtuar në Kosovë që nga paslufta, ndërsa potenciali i tyre është parë edhe si mundësi e madhe e zhvillimit të vendit. Shembull, Plani Zhvillimor i Prishtinës ka identifikuar si potencial të zhvillimit të Prishtinës klinikat dentare që operojnë brenda kryeqytetit.

Të dhënat tregojnë se “turizmi dentar” në Kosovë është një sektor në zhvillim që ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme vitet e fundit. Ky lloj turizmi, i njohur edhe si “turizmi shëndetësor”, përfshin udhëtime për trajtime dentare cilësore dhe me kosto më të ulët se në vendet e tjera. Kosova renditet në mesin e vendeve ku shërbimet dentare janë të cilësisë së lartë, ndërsa çmimet janë më të lira sesa në vendet e EU-së.

Por nga studimet nuk janë vetëm çmimet ato që i shtyjnë qytetarët nga vendet e tjera të vijnë në Kosovë për kujdes dentar.

Qendra Kryesore Universitare e Kosovës ka një departament të stomatologjisë, në të cilin çdo vit diplomohen mjekë stomatologë të fushave të ndryshme.

Qendra e akredituar vlerësohet se përgatit doktorë specialistë të aftë për të kryer punën e tyre në nivelin më të lartë të profesionit. 

Përpos cilësisë së doktorëve, brenda vendit janë ndërtuar edhe mekanizma ligjorë të kontrollit të cilësisë së produkteve dhe kontrollit etik të punës së mjekëve.

Të gjitha materialet dentare që përdoren në Kosovë duhet të kalojnë në certifikim nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicionale. Kjo agjenci lejon vetëm përdorimin e materialeve që janë në pajtim me standardet e EU-së.

Ngjashëm me medikamentet, kontrolli i cilësisë zhvillohet edhe në produkte, të cilat përdoren për të prodhuar dhe përpunuar pjesët dentare.

Një element shumë i rëndësishëm në Kosovë është procesi i licencimit të mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë. Të gjithë doktorët që punojnë në vend i nënshtrohen procesit të licencimit, ndërsa Oda e Mjekëve të Kosovës kujdeset që në rast të shkarjeve profesionale doktorët të humbin licencat.

Për sigurinë e të gjithë pacientëve, në Kosovë është ndërtuar edhe sistem ligjor, i cili, në rast të gabimeve, u garanton kompensime qytetarëve që janë dëmtuar gjatë procesit.

Të dhënat e tjera tregojnë se, përpos kontrollit të kualitetit, klinikat dentare në Kosovë investojnë në teknologji të reja dhe përdorin materiale të cilësisë së lartë.

Lokacioni strategjik i Kosovës në Ballkan e bën të lehtë për vizitorët nga Evropa dhe më gjerë të udhëtojnë për trajtime dentare.
Vizitorët kanë mundësi të shijojnë bukuritë natyrore dhe atraksionet kulturore të Kosovës, si Prizrenin, Rugovën, apo Ulpianën, ndërkohë që kujdesen për shëndetin e tyre oral.

Shprëndaje