Prishtina, qyteti ku përjetohet jeta e natës

Prishtina renditet në mesin e qyteteve me jetën më të pasur të natës. 

Për gjatë 365 ditëve të vitit, sheshet, baret, klubet dhe diskotekat janë hapësira në të cilat mijëra qytetarë zbardhin mëngjesin në ndejat e paharruara.

Ndër arsyet kryesore pse turistët që e vizitojnë Prishtinën bien në dashuri me këtë qytet e rikthehen prapë dhe pse prishtinasit nuk largohen asnjëherë janë energjia, dashuria, mikpritja, gjallëria dhe jeta e natës. Kryeqyteti i Kosovës njihet më së miri për rininë e gjallë dhe plot jetë, që ndër vite ka bërë diferencimin sa u përket jetës së natës dhe muzikës, krahasuar me vendet e tjera fqinje.

Që nga paslufta, Prishtina ka evoluar sa i përket diversitetit kulturor, me ngjarje të shumta. Jeta e natës është ajo që e mban popullin aktiv. Larg nga hallet e përditshme, qytetarët mundohen që të mërkurave, të premteve dhe të shtunave, të vizitojnë disa nga vendet më të njohura.

Rinia e Prishtinës është e aftë të ofrojë ndryshime, të përshtatet në grupime e komunitete të ndryshme dhe të pranojë trendet e reja, të cilat i ka inkuadruar mjaft mirë në rutinën e jetës së natës.

“Soma Book Station” është një nga bar/kafet e njohura. Muzika, oborri i përparmë dhe i pasmë, interieri i kuruar në detaje dhe menyja e ushqimit, bëjnë që qytetarët ta frekuentojnë çdoherë. Netët me muzikë, nën ambientet e “Soma Book Station”, ofrojnë atmosferë dhe momente tejet të veçanta.

Rruga “Fehmi Agani” në Prishtinë njihet më së miri për “Kafet e Vogla”. Afër Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës së Kroacisë janë lokalet më të zhurmshme në vend, por shumë të dashura nga qytetarët. “Monroe”, “Large Bar”, “Che Bar” dhe “Miqt Pub” janë ndër më të njohurat për muzikën me DJ lokalë dhe të huaj.

Të gjithë ata që e vizitojnë Prishtinën, pa diskutim, janë mirë të informuar për rrugicën e njohur si “Kafet e rakisë”. Kjo rrugicë, në të cilën nuk qarkullojnë automjetet, është e mbushur plot me lokale të vogla, të cilat mirëpresin grupe shoqërish, për të provuar pijet alkoolike më të njohura në Kosovë, të tilla si rakia e birrat.

Një risi në kryeqytet këtë vit ka qenë edhe “Noya”, një tarracë avangarde, e cila ka sjellë një frymë të re në gastronomi dhe evenimentet e natës. Që nga fillimet e hapjes së këtij lokali, printet me trëndafila qenë marketingu më i mirë për biznesin, pasi që shfaqeshin kudo, në çdo storje të rrjeteve sociale.

Të tjerët, që dëshirojnë muzikë e ndeja, mund të vizitojnë baret afër ndërtesës “Rilindja”: “Bamboo bar”, “Apartment” dhe “Lunch i Vogël”, të cilat janë atraksioni i ahengut në këtë rrugë.

Prishtina njihet si qyteti që jetën e natës e ka të rregulluar me orë dhe transferim të njerëzve nga një zonë në tjetrën.

Pas disa pijeve në baret apo lokalet brenda qytetit, ndjekësit e natës janë edukuar që të vazhdojnë ndejën në pubet dhe diskotekat e qytetit. Në to ndeja vazhdon deri në mëngjes.

“Zone Club” është një nga diskotekat më të njohura në Prishtinë, për muzikën alternative dhe komerciale, jo vetëm nga artistët lokalë, por edhe ata ndërkombëtarë. Së fundi, me trendin e muzikës elektronike, “Zone” ka bërë një diferencim sa u përket emrave që i ka sjellë për të performuar, duke bërë që shumë të huaj ta vizitojnë Prishtinën enkas për ta. Solomun, Deborah De Luca, Priku, janë vetëm disa nga emrat e njohur që kanë performuar në këtë vend.

“Gate Club” është klubi më i ri në kryeqytet, por shumë i dashur për vendësit e rinisë shqiptare nga diaspora e Kosovës. Me një atmosferë të ngrohtë e performues të njohur të zhanreve të ndryshme, “Gate Club” zë një vend të rëndësishëm në Prishtinë.

Kur flasim për muzikën elektronike, Prishtina e ka përqafuar mjaft mirë këtë ritëm, duke filluar nga evenimentet e mbajtura në “Rilindje”, vendi ku në vitet 80’ dhe 90’ shtypej gazeta. Dekada pas, ky vend për rininë e pasluftës njihet për ndejat e “Hapësirës” dhe vazhdon të jetë një vend atraktiv për dëgjuesit e muzikës elektronike.

Për të gjithë adhuruesit e ndejave ‘Servis’, në Prishtinë për muzikë elektronike të përzgjedhur organizatorët kanë hapur lokalin “Servis Fantazia”. Bari vazhdon të tërheqë të rinjtë, vend të cilin mund ta frekuentojnë çdo ditë.

Prishtina nuk i anashkalon as ata që e pëlqejnë muzikën rock. “Zanzi Jazz Bar” është një nga klubet më të vjetra që i ka mbijetuar kohës. Një hapësirë e vogël, me interier “old school”, sjell nostalgji nën tingujt e muzikës rock, rock alternativë dhe jazz.

Nga baret plot gjallëri, kafenetë plot atmosferë e ngrohtësi, e deri te ngjarjet e ndryshme kulturore, jeta e natës në Prishtinë ka diçka për të ofruar për të gjithë, duke e bërë qytetin tonë një destinacion vërtet mikpritës. Jeta e natës, e gjallë dhe e larmishme e qytetit tonë, shërben jo vetëm si një qendër argëtimi, por gjithashtu nxit një ndjenjë komuniteti dhe përfshirjeje.

Shprëndaje