Tekstili dhe prodhimi i veshjeve është njëri nga sektorët e rëndësishëm të industrisë në Kosovë. Kjo industri punëson qindra punëtorë dhe luan një rol të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai është bërë një sektor i rëndësishëm për punësimin e fuqisë punëtore, duke ofruar mundësi për zhvillim profesional dhe ngritje të aftësive. Pavarësisht sfidave që mund të ketë, siç janë konkurrenca e jashtme dhe kërkesat e tregut të ndryshueshëm, sektori ka vazhduar të tregojë fleksibilitet dhe përshtatshmëri. Kosova ka një numër fabrikash dhe kompanish që janë aktive në sektorin e prodhimit të veshjeve.
Këto ndërmarrje janë kryesisht në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Gjakovë. Disa nga fabrikat më të mëdha të tekstilit në vend janë: “Jatex” dhe “Intertex Kosova” në Gjakovë, si dhe fabrika e parë e xhinseve “Kosovatex” në Prishtinë. Përveç kësaj, ka disenjatorë dhe marka të ndryshme që furnizohen nga vende të ndryshme të Evropës dhe disa nga ta i krijojnë vetë materialet e tyre. Një shembull i tillë është kreatorja Krenare Rugova, e cila ka krijuar “KR LAB”. Laboratori i është dedikuar teknikës së lashtë të thurjes me dorë, një metodë tradicionale e prodhimit të tekstilit, dhe fijet e përdorura janë vendore.
Ndryshe nga Rugova, dizajnerja Nadira Kika gjen furnizim të tekstilit në Turqi, Dubai dhe Indi. “Çdoherë ka nevojë për përmirësim, ka nevojë për makina industriale të prodhimit, gjë që e lehtëson kohën e prodhimit. Kosova është në një vijë paralele me vendet e tjera sa i përket prodhimit në këtë industri, ka filluar të marrë primatin e Turqisë, ashtu si ka qenë më herët,” tha Kika. Në Kosovë janë shtuar brendet që krijojnë “fast fashion”, moda e shpejtë. Një nga brendet e njohura është “Drippin”.
Dizajnerja e brendit është Jona Demi, e cila furnizimin e gjen në Evropë dhe në Prishtinë. Për të Kosova nuk i përmbush të gjitha kushtet e cilësisë për prodhim dhe furnizim. “Kostot e prodhimit ndryshojnë, pasi ne furnizohemi vetëm me lëndën e parë (materialin), ndërsa i gjithë procesi i prodhimit realizohet nga ekipi ynë për të sjellë një produkt final”, shton Demi. Disa kreatorë përdorin edhe metodën e riciklimit të materialeve, siç është Zana Maxhuni, për të cilën rikrijimi i materialeve ekzistuese dhe riciklimi i tyre janë e vetmja mundësi për të krijuar diçka unike.
“Sa i përket riciklimit, nëse ne si dizajnerë duam ta ruajmë ambientin dhe, gjithashtu, duke e bërë këtë të krijojmë gjëra unike dhe interesante, është pak problematike, sepse te ne nuk kemi mjete adekuate për riciklimin e materialeve në mënyrë që prej këtij riciklimi të krijohet një material tjetër, për t’u shfrytëzuar më pas në një formë tjetër. Ndërsa rikrijimi është tjetër gjë, sepse nga ato materiale ose veshje ekzistuese ti vetëm i shndërron në forma dhe veshje të tjera,” tha Maxhuni.
Sipas dizajneres, kostoja e prodhimit është më e ulët në Kosovë sesa në vendet e tjera. “Ne në fushën e rrobaqepësisë/prodhimit kemi shumë gra dhe vajza të zonjat që e kryejnë këtë punë pa problem dhe unë mendoj që në vendin tonë duhet të ekzistojnë më shumë fabrika për prodhim dhe ato prodhime të eksportohen në vendet e jashtme.
Gjithashtu, fuqia punëtore është më e lirë sesa në disa vende të tjera, duke përjashtuar Kinën dhe Indinë, sepse atje kostoja për prodhim është shumë e ulët dhe jashtë çdo norme njerëzore,” shton ajo. Ky sektor ka një potencial të madh për zgjerimin e punësimit, qarkullimit dhe rritjen e eksporteve. Sipas një raporti, të krijuar në vitin 2019 nga “Kiesa” dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në Kosovë janë 111 ndërmarrje private të angazhuara në prodhimin e tekstilit, shumica e të cilave prodhojnë produkte për jashtë vendit.