Gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Data 9 dhjetor 2014 është dita kur Kosova u bë anëtare e Komitetit Olimpik, vendim ky që i hapi rrugë garave në Lojërat Olimpike Botërore. Në rrugëtimin 10-vjeçar, sportistët olimpikë të Kosovës arritën të fitojnë 5 medalje olimpike. Këto medalje e rendisin Kosovën shumë më lart se vendet e rajonit, të cilat gjatë kësaj kohe nuk arritën të fitojnë medalje.
Në tri garat olimpike, historia nisi me Majlinda Kelmendin.
Xhudistja nga Peja, Majlinda Kelmendi, është sportistja e parë që u stolis me medalje të artë në emër të Republikës së Kosovës. Ajo fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Rio 2016.
Katër vjet më vonë, në vitin 2020, dy sportistet e tjera, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, u stolisën me dy medalje të arta në xhudo.
Katër vjet më vonë, në Lojërat Olimpike të Parisit 2024, dy sportistet, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, u stolisën me medaljet e argjendta dhe të bronzta.
Rrugëtimi i anëtarësimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar
Sportistët nga Kosova kishin garuar në Lojërat Olimpike në kuadër të ish-Jugosllavisë.
Pas heqjes së autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, sportistët nga Kosova refuzuan të garonin në emër të Serbisë apo të Jugosllavisë.
Në kushte të vështira, sportistët synuan të mbanin gjallë sportin dhe të krijonin mundësi për të rinjtë për të garuar.
Në kuadër të institucioneve, të themeluara pas vitit 1990, u themelua edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Komiteti Olimpik i Kosovës u themelua më 27 maj të vitit 1992. Kishte shpresë – apo më e drejtë kishte ëndrra – që Kosova mund të lejohej të garonte në Lojërat Olimpike Verore “Barcelona 1992”, të mbajtura prej 25 korrikut deri më 9 gusht të atij viti.
Por, pas Barcelonës, në vitin 1992, u mbajtën edhe pesë edicione të Lojërave Olimpike Verore pa Kosovën pjesë të tyre.
Që prej anëtarësimit, Kosova është anëtare me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Njëri nga sukseset më të mëdha është vendimi që Kosova të organizojë Lojërat Olimpike Mesdhetare në vitin 2030. Këto gara priten të jenë ngjarja më e madhe sportive që ka ndodhur në historinë e Kosovës.