Rrugëtimi i artit të modës nga Kosova drejt botës

Një brez i ri i disenjatorëve po ndërton një të ardhme të re dhe të guximshme për industrinë e modës në Kosovë.

Ata po inspirohen nga kultura lokale dhe ajo ndërkombëtare, për të krijuar koleksione që pasqyrojnë jo vetëm estetikën, por edhe vizionin e një shoqërie që po ndryshon.

Moda mori një hov të madh në Prishtinë, e besa në tërë Kosovën, në vitet 2000.

Disenjatorët e parë në Prishtinë, megjithëse kanë pasur kushte të vështira për të zhvilluar karrierën e tyre, arritën të krijojnë hapësirën për të ndihmuar në ngritjen e industrisë së modës në qytet dhe në rajon.

Prishtina sot ka një skenë mode që po rritet dhe po zhvillohet, me disenjatorët e saj që luajnë një rol të rëndësishëm në këtë transformim.

Valdrin Sahiti është një nga emrat më të njohur të modës në Prishtinë dhe më gjerë. Ai ka prezantuar koleksionet e tij në pasarelat më të rëndësishme, si në Prishtinë, në Tiranë, dhe në disa qytete të tjera të Evropës.

Sahiti është i njohur për dizajnimin e veshjeve, të cilat përfshijnë detaje të sofistikuara, tekstura luksoze dhe linja elegante që pasqyrojnë një ndjesi moderne, por pa e harruar traditën.

Ka realizuar bashkëpunime me figura të njohura dhe ka veshur disa nga personazhet më të famshëm, siç janë Beyonce dhe motrat Kardashian, që i ndihmuan për të rritur profilin e tij në industrinë ndërkombëtare të modës.

Teuta Matoshi, një tjetër disenjatore e njohur vjen nga Prishtina, veshjet e së cilës karakterizohen nga një kombinim i elegancës dhe thjeshtësisë.

Ajo krijon koleksione që janë të pranueshme për femrat e çdo moshe, duke u dhënë atyre mundësinë të shprehin individualitetin e tyre përmes modës.

Pasionin për modën Matoshi e ka trashëguar edhe te motra e saj, Lirika Matoshi, e cila bëri që bota t’i kthejë sytë nga ajo kur realizoi getat e qëndisura me lule, kjo bëri që të njihet edhe ndërkombëtarisht.

Ajo krijon veshje që pasqyrojnë elegancën dhe luksin, duke përdorur ngjyra të forta dhe motive që kanë rrënjë në kulturën shqiptare, duke i përshtatur ato me stilin bashkëkohor.

Blerina Kllokoqi-Rugova është një nga disenjatorët më të suksesshme dhe të njohura të Kosovës.

Kllokoqi-Rugova është e njohur për dizajnimin e veshjeve për ngjarje speciale, si dasma, mbrëmje gala, dhe evenimente të tjera formale. Së fundmi disenjatorja ka krijuar edhe brendin “Bukur”, ku dominojnë veshjet e përditshme për të dy gjinitë .

E veçanta e këtij brendi është përdorimi i printeve me objekte dhe fotografi nga vendeve të Kosovës.

Flutura Dedinja, unike në stil dhe e njohur për dizajnet e saj të rafinuara dhe fustanet e mbrëmjes. Ajo përdor materiale cilësore dhe krijon modele që shquhen për elegancën dhe thjeshtësinë. Dedinja përdor teknika interesante për veshjet e saj, të cilat pëlqehen nga disenjatorët e rinj.

 

Dedinja vitet e fundit e ka hapur edhe kursin e saj të rrobaqepësisë. Kombinimi i ngjyrave në mënyrë jo të zakontë ka bërë që Dedinja pëlqehet edhe në vendet e rajonit.

Solistet e muzikës klasike në Kosovë preferojnë dizajnet e Dedinjës për fustanet gala.

Krenare Rugova pa diskutim është emër revolucionar në industrinë e modës në Kosovë. Rugova përdor materiale të guximshme dhe eksperimenton me prerje të ndryshme, duke krijuar veshje që shpesh dallohen për stilin e tyre artistik.

Rugova e filloi brendin e saj në vitin 2003 në Prishtinë, duke sjellë një frymë të re në vend nga New Yorku, ku dhe i ka përfunduar studimet. Ajo ka krijuar edhe laboratorin e quajtur “KR LAB”, i cili është i specializuar në tezgjahët me dizajn të krijuar nga kompjuteri, të endura me dorë.

E kur flasim për gjeneratën e re të disenjatorëve në Prishtinë, janë disa emra që vlen të përmenden, si Diana Qërimi, e cila e filloi karrierën e saj në një garazh të vogël afër shtëpisë, e tani së fundi fustanet e Dianës u veshën nga Jenifer Lopez.

Nadira Kika hapi atelenë e saj në vitin 2015 dhe nga ajo ditë Kika njihet për prerje dhe qepje, për të kualiteti është shumë i rëndësishëm.

Labentinë Shala është po ashtu e re në industrinë e modës, por puna e saj në “slow fashion” dhe me nismën “zero-waste” ka bërë që veshjet e saj të pëlqehen edhe ndërkombëtarisht. Shala ka marrë pjesë me sfilatë edhe në Sydney të Australisë.

Veshjet minimaliste, me prerje asimetrike, janë një element që duhet ta kemi në gardërobë.

Festim Isufi është një tjetër disenjator i ri, por që njihet për elegancën që sjell në fustane dhe për punën kualitative.

Isufi është autor edhe i librit për prerje, “Cardinal Womans Wear”, të cilin studentët e rinj të dizajnit të modës e kanë gjetur shumë të dobishëm gjatë studimeve.

Në kuadër të disenjatorëve të rinj, me bazë në Prishtinë, është edhe Nita Bllacaku, e cila për industrinë njihet si disenjatorja “cool”.

Bllacaku anon në stilin avangardë, minimalist dhe elegant. Koleksionet e saj përfshijnë veshje solemne dhe të përditshme, detajet punë dore çdoherë bien në sy te krijimet e saj.

Moda në Prishtinë ka kaluar një transformim të dukshëm gjatë dekadave të fundit, duke u zhvilluar në një industri të njohur dhe të respektuar, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Disenjatorët e rinj po sjellin një frymë inovative dhe të guximshme, duke kombinuar traditën me trendët moderne.

Kjo skenë e re, me influencë ndërkombëtare dhe një përqendrim të fortë në identitetin kulturor, do të vazhdojë të zhvillohet dhe të krijojë mundësi të reja për talentet e së ardhmes.

Shprëndaje