Në fshatin Rashincë të Shtimes, entuziastë të astronomisë kanë arritur të ndërtojnë një qendër, e cila është e pajisur me teleskop për të vëzhguar planetët.
Qendra e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës, gjatë vitit 2024, u vizitua nga mbi 5 mijë vizitorë, ndërsa kjo qendër njihet për dy teleskopë të fuqishëm, përmes të cilëve nxënësit, studentët dhe entuziastët e fushave STEM mund të vëzhgojnë qiellin dhe trupat qiellorë.
Toka ku shtrihen Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i është dhuruar Komunës së Shtimes nga profesori i astronomisë, Milam Rushiti. Rushiti njëherësh është edhe kryetar i organizatës “Astronomy Outreach of Kosovo” (AOK), e cila menaxhon Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës.
Njëri nga teleskopët në Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës është i vendosur fizikisht në dhomën për vëzhgime qiellore, ku ndodhet kupola që hapet gjatë vëzhgimit të planetëve dhe satelitëve të tyre, si: Venera, Marsi, Jupiteri dhe katër hënat e tij, Saturni dhe unazat e tij, Neptuni dhe Urani.
Ky teleskop është 14” (356 mm) dhe i është dhuruar si donacion AOK-ut nga kompania e njohur “Celestron”.
Përveç planetëve, përmes teleskopit 14, mund të vëzhgohet Hëna (sateliti natyror i Tokës), ku mund të shihen krateret e saj. Po ashtu, mund të vëzhgohen galaktika si Rruga e Qumështit, Andromeda, si dhe retë e mbushura me pluhur kozmik (Nebula).
Ndër teleskopët e tjerë, veçohet një teleskop solar, përmes të cilit mund të vëzhgohen Dielli dhe njollat e tij të zeza. Në katin përdhes ndodhet Planetariumi me kupolën e tij. Në Planetarium shfaqen video-materiale edukative rreth fushave STEM, në veçanti ato të astronomisë, dhe duket sikur gjithësia (universi) është brenda në Planetarium, për shkak të ndërtimit dhe formës së tij. Në Planetarium shfaqjet të japin ndjesinë e udhëtimit në kohë, një përjetim të vërtetë.
Për të vëzhguar natën me pajisje teleskopike, Observatori dhe Planetariumi janë të hapur për vizitorë gjatë ditëve të javës – të martën, të enjten dhe të shtunën, nga ora 19:00 deri në ora 00:00.
Për grupe njerëzish që duan ta vizitojnë dhe të vëzhgojnë me pajisje teleskopike, kjo është e mundur nga e marta deri të premten. Ndërsa gjatë fundjavës, nga ora 10:00 – 17:00, kryhen vëzhgime të Diellit dhe shfaqje në Planetarium.
Ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës ka kushtuar rreth 310,000 euro dhe është mbështetur nga Ministria e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit (MAShTI) dhe Komuna e Shtimes.
Arsyeja pse është ndërtuar në fshatin Rashincë, përveç dhurimit të tokës nga profesori Rushiti, përkon me plotësimin e faktorëve të domosdoshëm për vëzhgimin e qiellit. Si faktorë kyçë gjatë vëzhgimeve ditore vlen të përmenden: të parët e mirë, kushtet klimatike dhe pajisjet teleskopike. Ndërsa për vëzhgimet gjatë natës vlen të përmenden ndotja e ulët nga ndriçimi artificial, stina dhe topografia relievore (lartësia mbidetare).
Krahas këtyre, Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës është i pajisur edhe me një dhomë konferencash. Aty ligjërohet për shkencë, si: matematikë, fizikë, kimi, gjeografi, me theks të veçantë në astronomi, astrofizikë, kozmologji dhe fusha të tjera STEM.
Për operimin e pajisjeve teleskopike, ekziston dhoma e operimit, e cila ende është në proces kompletimi me aparaturë ngasëse automatike, elektronike e digjitale, përmes së cilës tentohet të arrihet përsosmëria e të dhënave të lexuara nga thellësitë e gjithësisë (universit).
Synimi i organizatës “Astronomy Outreach of Kosovo” është realizimi i vëzhgimeve të panjohurave në thellësitë e gjithësisë (universit) edhe përmes pajisjeve radioteleskopike. Aktualisht, veprimtaria është e kufizuar vetëm në brezin optik (gjatësia valore) natyror të të parit të syrit të njeriut.