Shqipëria është atraksion turistik edhe gjatë dimrit. Në hotelet buzë detit në vazhdimësi janë promovuar oferta për pushues, adhurues të ushqimeve dhe të qendrave të SPA, ndërsa në zonat malore promovohet turizmi malor dhe vizitat në ilixhet e zonës.
Pa dyshim listës për t’u vizituar i prijnë alpet shqiptare, me zonat e bukura dhe të thella të Thethit dhe të Valbonës.
Thethi dhe Valbona
Alpet shqiptare janë të magjishme në dimër. Thethi dhe Valbona ofrojnë pamje spektakolare, me male të mbuluara me borë dhe fshatra tradicionale. Në zonë nuk ka shtigje të skijimit, mirëpo ecja në natyrë, eksplorimi i ujëvarave të ngrira (si Ujëvara e Grunasit) dhe përjetimi i mikpritjes tradicionale shqiptare janë të rekomandueshme për turistët.
Korça dhe Dardha
Qyteti i Korçës është i njohur si “Parisi i Vogël”. Gjatë dimrit, qyteti njihet veçanërisht për stolisjen me drita festive. Adhuruesit e muzikës dhe të ushqimit në këtë qytet gjejnë muzikën korçare të shoqëruar me ushqimet tradicionale të zonës. Në Korçë vizitorët rekomandohen të vizitojnë edhe fshatin Dardha. Ky është një fshat malor pranë Korçës, ideal për ski dhe pushime relaksuese.
Voskopoja
Në turin e vizitave për në Shqipëri, vizitorët rekomandohen të vizitojnë edhe fshatin Voskopojë. Ky fshat ka një atmosferë të qetë dhe është i njohur për kishat e tij të vjetra dhe peizazhet e mrekullueshme.
Boge dhe Vermoshi
Zona e Kelmendit është një thesar i fshehur gjatë dimrit, duke ofruar pamje magjike të bjeshkëve dhe qetësi absolute. Në vizitat në Boge dhe Vermosh turistët mund të shijojnë eksplorimin e natyrës dhe përvojat autentike në shtëpi tradicionale malore.
Pogradeci dhe Liqeni i Pogradecit
Midis Shqipërisë dhe Maqedonisë shtrihet Liqeni i Ohrit dhe Pogradecit. Ky liqe është në mesin e liqeneve më të mëdha në Ballkan dhe njihet me këta dy emra. Gjatë muajve të dimrit, liqeni ka një pamje të bukur dhe romantike, ndërsa vizitorët e Pogradecit mund të shijojnë, përpos kësaj pamje, edhe vizitat në Drilon dhe shijimin e peshkut tradicional koran.
Elbasani dhe llixhat e Elbasanit
Në qytetin e Elbasanit burojnë llixhat termale të kësaj zone. Vizitorët mund të pushojnë në hotelet e zonës të lidhura me llixhat shëruese. Gjatë kohës së relaksimit, për vizitorët Elbasani ofron një kulturë të pasur dhe histori interesante.
Gjirokastra dhe Berati
Berati dhe Gjirokastra janë dy qytete muze, të cilat mund të vizitohen në çdo stinë të vitit. Shtëpitë e vjetra tradicionale, kalatë e zonës dhe ushqimet tradicionale, i mirëpresin vizitorët gjatë gjithë kohës.
Për turistët në zonë janë ndërtuar hotele dhe bujtina tradicionale
Llogaraja
Për vizitorët që preferojnë një dimër më të butë, Llogaraja ofrojnë një pamje fantastike dhe qetësi. Gjatë muajve të dimrit, në Llogarajë vizitorët mund të bëjnë eksplorimin e Parkut Kombëtar të Llogarasë dhe vizita në fshatra bregdetare, si Dhërmiu dhe Himara.